Arrestohet një person për sulmin me armë dhe zjarrvënie në QKUK – Operacioni hetimor vazhdon në disa lokacione

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet B.K., i cili dyshohet për përfshirje në një incident të rëndë që ndodhi më 30 prill 2025 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit zyrtar, B.K. dyshohet për kryerjen e veprave penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” (neni 367 par. 2), “Zjarrvënie” (neni 322 par. 2) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366 par. 1) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ngjarja ka pasur si objektiv veturën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të QKUK-së.

Operacioni policor është duke vazhduar me intensitet të shtuar në disa lokacione të ndryshme me qëllim të mbledhjes së provave shtesë dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Organet e rendit mbeten të përkushtuara në hetimin e thelluar të këtij rasti dhe në identifikimin e motivit të sulmit duke siguruar se drejtësia do të vihet në vend.

Prokuroria dhe Policia u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo informacion të mundshëm që mund të ndihmojë në hetime. /Kosova.info/


Go to TOP