Ilir Deda përjashton rikthimin në politikë: Kosova në mjerim pa rotacion qeverisës

Ish-deputeti dhe analisti politik, Ilir Deda, ka sqaruar publikisht pozicionin e tij aktual ndaj politikës në Kosovë duke theksuar se që nga viti 2019 është tërhequr përfundimisht nga angazhimi në parti politike. Në një postim në Facebook, Deda ka bërë të qartë se për më shumë se katër vjet ka refuzuar të komentojë zhvillimet politike në vend, ndërsa tani po e jep mendimin e tij si qytetar i lirë dhe analist.

“Sot, me shumë prej njerëzve që kemi qenë bashkë politikisht në të kaluarën nuk pajtohemi për gjendjen aktuale të Kosovës, ndërsa me disa që kemi qenë kundërshtarë, ndajmë të njëjtat shqetësime,” shkruan Deda duke nënvizuar se nuk është pjesë e betejave partiake dhe se nuk do të jetë në asnjë listë zgjedhore.

Ai vlerëson se Kosova ndodhet në një gjendje “të mjerueshme” dhe se kjo situatë do të përkeqësohet në mungesë të një rotacioni qeverisës. Sipas tij, partitë funksionojnë më mirë kur nuk e kanë të garantuar fitoren dhe janë nën presion të vazhdueshëm nga votuesit për të dhënë rezultate.

Në fund, Deda përkujton se në një vend të lirë, më i rëndësishëm se çdo gjë është pluralizmi i mendimit duke theksuar se askush nuk ka nevojë të pajtohet me vlerësimin e tij, por liria e mendimit duhet të mbrohet dhe respektohet. /Kosova.info/


Go to TOP