Qeveria e përkohshme në horizont? Reagime pas ofertës së LDK-së për bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse deri në 2026
Deklaratat e fundit të Lumir Abdixhikut për një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse kanë shkaktuar valë reagimesh në skenën politike të Kosovës. Ndërsa Albin Kurti i dërgoi një letër ftuese LDK-së për bashkëpunim, LDK ka kthyer një përgjigje të qartë dhe të artikuluar duke propozuar një qeveri tranzicioni deri në janar–shkurt 2026. Opinioni politik është ndezur nga qëndrimet që pasuan.

Analisti Adriatik Kelmendi ka përmbledhur qëndrimin e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke theksuar se:
Albin Kurti nuk mund të bëhet kryeministër me vota të LDK-së.
Po ashtu, as Abdixhiku nuk synon të bëhet kryeministër përmes një koalicioni me LVV-në.
Një zgjidhje e mundshme do të ishte një qeveri kalimtare me përfshirjen e të gjitha partive shqiptare, e drejtuar nga një figurë e pranueshme për të gjithë.
Kelmendi theksoi se më 9 shkurt asnjë kandidat për kryeministër nuk ka fituar shumicën absolute duke e bërë të domosdoshëm formimin e një koalicioni për qeverisje. “Topi ka kaluar nga Lumiri sërish te Albini”, tha ai.

Analisti Shenoll Muharremi e vlerësoi si të drejtë dhe të pjekur ofertën e LDK-së.
Sipas tij, refuzimi i bashkëpunimit nga LVV është pasojë e retorikës përçarëse të Kurtit ndaj LDK-së në të kaluarën.
“Albini duhet vetëm vetën me fajësu pse LDK nuk po bashkëpunon me të. Ai ka pas një fushatë fyese e linçuese. Kjo nuk duhet me u përsëritë”, theksoi Muharremi duke shtuar se LDK e ka bërë një hap të madh drejt dialogut dhe përgjegjësisë politike.

Nga ana tjetër, Valon Prestreshi, aktivist politik, e quajti përgjigjen e LDK-së si “të matur, unifikuese dhe adekuate për kohën”.
Sipas tij, LDK ka marrë në dorë lidershipin për formimin e institucioneve: “Pa LDK-në në ekuacion, rezultati është null. Tani, konstituivi i institucioneve kalon nëpër zyret e LDK-së.”
Në pritje të qëndrimeve të PDK-së dhe AAK-së, topi mbetet në fushën e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. A do ta pranojë këtë propozim për një qeveri tranzicioni apo do të shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja – mbetet të shihet në ditët në vijim. /Kosova.info/
