Cakolli: Votimi i fshehtë për Kryetarin e Kuvendit është shkelje e rregullave dhe demokracisë
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj përpjekjeve të fundit për të legjitimuar votimin e fshehtë në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të turbulluar një çështje që, sipas tij, është shumë e qartë.
“Zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm”, theksoi Cakolli.
Ai rikujtoi se në sistemin parlamentar të Kosovës, votimi i hapur është rregull, ndërsa ai i fshehtë është përjashtim dhe aplikohet vetëm në raste specifike të përcaktuara qartë me rregullore, si zgjedhja e Presidentit apo emërimet në borde dhe agjenci të pavarura.
Sipas tij, në Rregulloren e Punës së Kuvendit nuk ka asnjë dispozitë që e lejon votimin e fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, dhe çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë procesit përbën shkelje të sigurisë juridike dhe parimeve demokratike.
“Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme”, paralajmëroi ai, duke shtuar se nëse sot ndryshohet mënyra e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër kjo mund të ndodhë edhe për zgjedhjen e Qeverisë apo për çështje të tjera me rëndësi politike.
Në fund, Cakolli theksoi se deputetët janë të zgjedhur për të përfaqësuar publikisht qytetarët dhe jo për të fshehur votën e tyre. Ai shtoi se mungesa e guximit për të deklaruar votën tregon se ndoshta vendimet nuk po merren në interes publik, por si pjesë e lojërave të brendshme partiake. /Kosova.info/
