Njësitë Speciale të Policisë realizojnë ushtrimin fushor `REAGIMI`

Sot në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, Sllatinë, është realizuar ushtrimi fushor “REAGIMI 2025”, i organizuar nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe mbështetur nga departamentet tjera policore. Ky ushtrim kishte për qëllim testimin dhe ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme për menaxhimin e situatave ekstreme dhe reagimin në kushte emergjente.

“Ushtrimi u fokusua në përdorimin e burimeve njerëzore, logjistike e teknologjike, përfshirë të gjitha llojet e armatimit dhe municionit, duke përfshirë testimin e aftësive dhe koordinimin në kushte operacionale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë ushtrimit, u testuan edhe komponentët kyç të reagimit, si:

Ndërveprueshmëria dhe bashkëpunimi

Koordinimi

Komunikimi

Komanda dhe kontrolli

“Pjesëmarrësit në këtë ushtrim, nga të gjitha nivelet e strukturave, treguan një nivel të lartë profesionalizmi dhe disipline, ashtu siç pritet nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës. Kjo ka dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në rritjen e gatishmërisë dhe përgatitjes për situata emergjente”, thekson Policia.

Ky ushtrim u përcoll nga afër nga drejtori i Përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha me stafin e lartë menaxhues, si dhe përfaqësues nga institucione vendore e ndërkombëtare.

Në përfundim të ushtrimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka ndarë mirënjohje për pjesëmarrësit, duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij aktiviteti.


Go to TOP