Vardy largohet nga Leicister pas një dekade
Pas më shumë se një dekade besnikëri, Jamie Vardy do të largohet nga Leicester City këtë verë, në përfundim të kontratës së tij.
Legjenda e klubit do t’i japë fund një rrugëtimi që e ktheu nga një sulmues anonim në një kampion të Anglisë dhe idhull për tifozët.
Vardy i ishte bashkuar Leicester në vitin 2012 nga klubi modest Fleetwood Town për vetëm një milion funta. Ai do të mbahet mend për sukseset e jashtëzakonshme me “Dhelprat”, përfshirë dy tituj në Championship, një FA Cup dhe titullin e Premier League në vitin 2016 – një arritje që sfidoi çdo parashikim dhe e ktheu Leicesterin në një sensacion.
Rruga e tij drejt majave ishte sa e pazakontë aq edhe frymëzuese. Nga liga jo-profesionale me Stocksbridge Park Steels, Vardy u shndërrua në golashënues të pamëshirshëm dhe ndër figurat më të dashura për tifozët anglezë, duke përfaqësuar edhe Kombëtaren e Anglisë në nivelet më të larta.
Presidenti i Leicester City, Aiyawatt Srivaddhanaprabha, e ka vlerësuar futbollistin si lojtar po edhe si njeri. “Jamie është unik. Ai është një lojtar i veçantë dhe një njeri edhe më i veçantë. Ai ka një vend të përhershëm në zemrat e të gjithë atyre që janë të lidhur me Leicester City, përfshirë edhe mua. Jam pafundësisht mirënjohës për gjithçka që ai i ka dhënë këtij klubi”, ka thënë ai.
Gjatë karrierës së tij me Leicesterin, Vardy ka zhvilluar afro 500 ndeshje dhe ka realizuar mbi 190 gola, përfshirë edhe rekordin e jashtëzakonshëm të njëmbëdhjetë ndeshjeve radhazi me gol gjatë sezonit të artë të titullit.
Largimi i tij vjen në një moment të vështirë për klubin, pas rënies nga Premier League, dhe do të shënojë mbylljen e një kapitulli të lavdishëm për Leicester.
Ndeshja e fundit në shtëpi për Vardy do të zhvillohet më 18 maj kundër Ipswich, ndërsa lamtumira do të ndodhë më 25 maj në transfertë kundër Bournemouth.
