LDK mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për KPM-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, ligj që LDK-ja e kishte kontestuar në këtë Gjykatë. Sipas partisë, ky vendim ka konfirmuar shkelje të rënda të parimeve kushtetuese, të cilat garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës.

“Ky vendim thekson se disa dispozita të Ligjit të kontestuar janë në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, i cili përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese, si dhe nenin 141, që garanton pavarësinë e Komisionit të Pavarur të Mediave,” tha LDK. Kjo parti gjithashtu theksoi se ndryshimet që i japin Kuvendit kompetenca për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së dhe rritjen e numrit të anëtarëve të saj, pa konsultime të duhura publike, “cenojnë pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për pavarësinë mediale.”

LDK-ja shprehu shqetësim për “tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim dhe kontroll politik mbi institucionet e pavarura,” duke shtuar se këto veprime përbëjnë “shkelje të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes.” LDK vlerësoi se këto tendenca mund të rrezikojnë funksionimin e medias, e njohur si “shtylla e katërt” e shtetit.

LDK gjithashtu tha se do të angazhohet që “Legjislatura e re e Kuvendit dhe Qeveria e re të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të korrigjuar shkeljet.”

“LDK do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së shprehjes, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kapjen politike të mediave dhe cenimin e demokracisë në vend”, përfundon reagimi. /Kosova.info/

Go to TOP