Prokuroria e Prizrenit zbulon laborator të drogës, arrestohen tre persona

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se në bashkëpunim me policinë kanë zhvilluar aksion në Prizren pas një hetimi disamujor, ku është zbuluar një laborator droge dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kultivuar narkotikë për t’i përgatitur për shitje. 

“Të pandehurit, nga data e pa vërtetuar dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2025, në Prizren, pa autorizim dhe në bashkëkryerje, kultivojnë bimën ‘Kanabis Sativa’ (Mariuhanë), me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, në atë mënyrë që në një objekt të mbyllur krijojnë një laborator të brendshëm ‘In door’, ku kanë kultivuar dhe kanë rritur rreth 200 bimë ‘Kanabis Sativa’, kanë bërë tharjen e tyre, dhe i kanë përgatitur për shitje në treg. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK- së”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e prokurorisë thuhet se pas kultivimit, narkotikët i kanë shitur nëpër Kosovë, për çka ngarkohen edhe me veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë këtij aksioni, është kontrolluar objekti, me ç’rast Prokurori i Shtetit, përveç bimëve “Kanabis Sativa” dhe materialeve tjera përcjellëse që kanë shërbyer për kultivimin e narkotikëve, ka sekuestruar edhe objektin banesor që ka shërbyer për kultivimin e narkotikëve.

Tre të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Krimeve të Rënda, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. /Kosova.info/


Go to TOP