Geci akuzon Kurtin për qasje të ngjashme me Thaçin ndaj familjes Geci: PDK dhe LVV janë të të njëjtit brumë politik

Ish-deputeti Gani Geci ka publikuar një reagim të ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për qasje të ngjashme me atë që, sipas tij, ka pasur më parë ish-presidenti Hashim Thaçi ndaj familjes Geci.

Geci thotë se më 08 tetor 2024, Kurti ka marrë një qëndrim që ai e konsideron fyes dhe të pavërtetë ndaj familjes së tij, njësoj siç kishte vepruar Thaçi për dy dekada. Ai përmend se pas 20 vjetësh përplasje, Hashim Thaçi ka kërkuar falje publike për “gënjeshtrat dhe poshtërsitë” ndaj tyre.

“Që nga data 08.10.2024, Albin Kurti ka marrë një qëndrim pothuajse të ngjashëm me atë që ka mbajtur Hashim Thaçi ndaj familjes sonë,” shkruan Geci. Ai shton se një ditë më vonë, më 09.10.2024, familja e tij i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kurtit, e nënshkruar nga Halil Geci, si anëtari më i vjetër i familjes duke kërkuar falje publike nga kryeministri.

“Nëse Albin Kurti nuk kërkon falje për të pavërtetat e publikuara, unë do ta konsideroj atë si vazhdimësi të Hashim Thaçit në raport me ne,” thotë Geci duke paralajmëruar se do të bëjë publike edhe kërkesat që, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për të bërë “pazare politike” në Kuvend.

Ai akuzon LVV-në për metoda të ngjashme me PDK-në duke i krahasuar si “të njëjtit brumë politik”, me akuza për tentim-blerje votash dhe pazare të fshehta për interesa pushteti.

Deklaratat e Gecit kanë ngjallur reagime në rrjetet sociale, ndërsa ende nuk ka një përgjigje publike nga zyra e kryeministrit Kurti mbi këtë çështje. /Kosova.info/

Go to TOP