Kreu i FED-it: Ekonomia amerikane në mes të inflacionit dhe ngadalësimit
Kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së (FED), Jerome Powell, ka paralajmëruar se ekonomia amerikane mund të përballet me një sfidë serioze në muajt në vijim, pasi bankës qendrore mund t’i duhet të zgjedhë mes kontrollit të inflacionit dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
Në një fjalim të mbajtur të mërkurën në Economic Club of Chicago, Powell tha se tarifat e vendosura nga Presidenti Donald Trump kanë rritur ndjeshëm pasigurinë dhe pritet të shkaktojnë inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët ekonomike, raporton CNBS.
“Ne mund të gjendemi në një situatë ku objektivat tona janë në konflikt – stabiliteti i çmimeve dhe punësimi i plotë,” tha Powell. Ai shtoi se nëse ndodh një përplasje mes këtyre dy qëllimeve, FED do të vlerësojë se cili është prioriteti në varësi të ndikimit dhe kohëzgjatjes së pasojave.
Në një sesion pyetje-përgjigje pas fjalimit, Powell deklaroi se tarifat “me gjasë do të na largojnë nga objektivat ekonomikë, të paktën për pjesën tjetër të këtij viti.”
Ai nuk dha sinjale për ndryshim të menjëhershëm të normave të interesit, por tha se për momentin FED është në një pozitë të mirë për të “pritur më shumë qartësi” përpara marrjes së ndonjë vendimi të ri.
Tregjet financiare reaguan menjëherë pas fjalimit – bursat ranë dhe interesat e bonove të thesarit u ulën. Ndërkohë, sipas parashikimeve të grupit CME FedWatch, tregjet presin që FED të nisë uljen e normave të interesit në qershor, me deri në katër ulje deri në fund të vitit.
Powell tha gjithashtu se inflacioni për muajin mars pritet të jetë 2.6%, mbi objektivin 2% të FED-it. Ai theksoi se tarifat mund të shkaktojnë një rritje të përkohshme të çmimeve, por nëse zgjasin, ndikimi mund të bëhet më i qëndrueshëm.
Për sa i përket rritjes ekonomike, të dhënat e para tregojnë se ekonomia amerikane është ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit. Shpenzimet e konsumatorëve kanë rënë, ndërsa një valë e fortë importesh për të shmangur tarifat pritet të ketë ndikim negativ në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Pavarësisht kësaj, Powell tha se ekonomia është ende në një “pozitë të qëndrueshme”, edhe pse përballja me ndikimet nga tarifat dhe inflacioni mund të komplikojë më tej politikat ekonomike të bankës qendrore.
