Gërvalla: Njohja nga Sudani forcon subjektivitetin ndërkombëtar
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka vlerësuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Sudanit si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
“Republika e Kosovës sot shënoi edhe një moment tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e saj ndërkombëtar – njohjen nga Sudani. Kjo njohje vjen vetëm pak javë pas lajmit të mirë nga Kenia, duke forcuar më tej praninë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në Afrikë dhe përtej saj”, shkroi Gërvalla në Facebook.
Tutje ajo ka shprehur mirënjohje ndaj autoriteteve sudaneze për vendimin e tyre, si dhe ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për angazhimin e saj në këtë proces, duke vlerësuar gjithashtu mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në këtë sukses diplomatik.
“Presim me padurim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sudanin në fusha me interes të ndërsjellë”, shkroi tutje Gërvalla.
Me njohjen nga Sudani, numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës shkon në 119-të. /Kosova.info/
