Gashi falënderon Sudanin për njohjen e Kosovës: Vizita në Khartoum u bë realitet diplomatik
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Alush Gashi ka reaguar pas lajmit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sudani,duke falënderuar këtë shtet për vendimin dhe duke rikujtuar angazhimin e tij diplomatik në vitin 2022.
“Faleminderit, Sudan, për njohjen e Republikës së Kosovës,” shkroi Gashi duke shoqëruar postimin me flamujt e të dy shteteve.
Ai tregoi se në maj të vitit 2022, së bashku me miqtë amerikanë, kishte vizituar kryeqytetin Khartoum, ku ishte takuar me përfaqësuesit më të lartë të Këshillit Sovran të Sudanit – Nënkryetarin Lt. Gjeneral Hemedti dhe Lt. Gjeneral Ibrahim Gabir.
Në postimin e tij, Gashi shprehu mirënjohjen për këtë njohje të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe shtoi se vendi ynë ka një dëshirë të sinqertë për paqe dhe stabilitet në Sudanin mik.
“Kosova shpreh shpresën e saj të sinqertë për paqe, stabilitet dhe një të ardhme më të mirë për popullin sudanez,” tha Gashi duke ndarë gjithashtu një fotografi nga takimi në Khartoum.
Njohja nga Sudani vjen si një sukses i ri diplomatik për Kosovën dhe shënon avancimin e mëtejshëm të pozitës së saj në skenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
