Krasniqi kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Më shumë keqqeverisje në energji s’ka pasur që nga pavarësia
Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për menaxhimin e sektorit të energjisë duke e cilësuar si periudhën më të keqqeverisur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në një reagim publik, Krasniqi ngriti një sërë shqetësimesh për vendimet dhe zhvillimet e fundit në këtë fushë duke përmendur ngritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike dhe skandalet e shumta që kanë goditur Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
“Prej pavarësisë e këtej, a ka keqqeverisë dikush më shumë në fushën e energjisë, sesa Qeveria Kurti?”, pyeti ai duke shtuar se brenda katër vjetëve të qeverisjes aktuale: faturat e energjisë janë shtrenjtuar tri herë; janë ngritur disa aktakuza për korrupsion në KEK dhe në sektorin e energjisë dhe qytetarët janë përballur me reduktime të energjisë në muaj të tërë.
Ai theksoi se është për të ardhur keq që askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto dështime, përveç qytetarëve që kanë paguar çmimin më të lartë.
Sipas Krasniqit, është e domosdoshme që përgjegjësia institucionale të rikthehet dhe të ndërmerren hapa seriozë për reformimin e këtij sektori jetik për vendin. /Kosova.info/
