Haradinaj në Ditën e Kushtetutës: Nevojitet kthesë drejt qeverisjes që respekton ligjin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës duke e cilësuar këtë dokument si themelin e shtetit dhe shprehje të vullnetit të lirë të popullit të Kosovës, që buron nga lufta çlirimtare dhe aspirata për liri.
Haradinaj theksoi se Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar mbi vlerat e të drejtave të njeriut, barazisë dhe mbrojtjes së pakicave duke shërbyer si një gardiane e demokracisë dhe rendit kushtetues.
Megjithatë, ai kritikoi ashpër qeverisjen e katër viteve të fundit, të cilën e akuzoi për shkelje të përsëritura të Kushtetutës përmes vendimeve arbitrare dhe mosrespektimit të saj si dokument suprem.
“Është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim,” deklaroi Haradinaj duke bërë thirrje për rikthim të sundimit të ligjit dhe respektim të normave kushtetuese si bazë për ndërtimin e një shteti të drejtë dhe demokratik.
Në fund, ai përcolli urimin për të gjithë qytetarët: “Urime Dita e Kushtetutës!”. /Kosova.info/
