Mexhiti paralajmëron shkrirjen e koalicionit në një subjekt të vetëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti, paralajmëroi shkrirjen e koalicionit VLEN në një parti të vetme politike.

Sipas tij, i vetmi që ka dilema për këtë është Arben Taravari, duke shtuar se nuk mund të jesh VLEN dhe të bashkëpunosh me BDI-në.

“Ne si subjekte brenda VLEN-it po shqyrtojmë mundësinë këto ditë që VLEN-i përsëri ta dëgjojë votuesin shqiptar, sepse në të kaluarën ka kërkuar unifikimin e opozitës shqiptare. Tash kërkon që subjektet të shkrihen në kuadër të VLEN-it dhe besoj brenda javës do të ketë edhe nismë që VLEN-i të jetë një opsion”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, tha se ai gëzohet që LD, Besa, Alternativa dhe Vetëvendosje kanë vendosur të shkrihen në një parti, ndërsa shtoi se ASH do të mbetet si subjekt që do të tentojë të bashkëpunojë me ta. “Deri tek ne nuk ka ardhur ftesë, nëse do të vjen do ta shqyrtojmë, jemi miq, shokë, as që e diskutoj që mund ta hapim atë temë. Për momentin gëzohem se këta janë dakorduar si tre parti, më gëzon si fakt”, deklaroi Taravari.

Kryeministri Mickovski tha sot se koalicioni qeverisës funksionon shkëlqyeshëm dhe se nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë. Koalicioni VLEN u formua para zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Go to TOP