Dortmund pa Schlotterbeck deri në fund të sezonit
Borussia Dortmund do të duhet të jetë pa mbrojtësin e qendrës, Nico Schlotterbeck, për pjesën e mbetur të sezonit, pas një lëndimi në meniskun e gjurit të majtë, ka njoftuar klubi gjerman të hënën.
Njëzet e pesë vjeçari është lënduar në një moment vendimtar për Dortmund, që është në garë për një vend në kupat evropiane për sezonin e ardhshëm. Aktualisht “verdhezinjtë” renditen në vendin e tetë në Bundesliga, me gjashtë ndeshje të mbetura dhe pesë pikë larg Mainz 05 që mban pozitën e katërt. Përveç garës në kampionat, Dortmund do të përballet këtë të mërkurë me Barcelonën në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League, ku sezonin e kaluar kishin arritur deri në finale, çka më pas ishin mposhtur nga Real Madrid.
“Largimi i Nicos është një goditje e rëndë për ne. Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës sonë dhe ka treguar paraqitje të qëndrueshme gjatë gjithë sezonit. Shpresojmë që të rikuperohet sa më shpejt dhe do ta mbështesim maksimalisht në rrugën e tij drejt rikthimit”, ka deklaruar drejtori sportiv i Dortmund, Sebastian Kehl.
