Shoqatat e dala nga lufta bojkotojnë organizimet e Qeverisë për Ditën e Çlirimit: Respekti nuk shprehet me fjalë, por me vepra

Tre shoqatat kryesore të dala nga lufta – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve – kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë organizim të përbashkët me Qeverinë e Kosovës me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit.

Në një deklaratë të përbashkët, këto shoqata theksojnë se vendimi është marrë si reagim ndaj, siç e cilësojnë ato, qasjes përbuzëse dhe mungesës së respektit nga ana e Qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti ndaj kategorive që kanë kontribuar në luftën për liri.

“Ftesës për pjesëmarrje i themi JO. Respekti për sakrificën dhe kontributin për liri nuk shprehet me fjalë, por me vepra”, thuhet në deklaratën e tyre.

Këto organizata kanë theksuar se përkundër përvjetorit të rëndësishëm, nuk ndihen të përfaqësuara e as të respektuara nga institucionet aktuale duke i konsideruar qasjet e qeverisë si të papranueshme dhe të dëmshme për trashëgiminë e luftës çlirimtare. /Kosova.info/


Go to TOP