Qeveria e Kosovës mbështet “Procesin Pall Mall” dhe ndan 75,000€ për promovimin e vendit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike ku ka miratuar dy vendime të rëndësishme.
Së pari, Kosova ka shprehur mbështetje për “Procesin Pall Mall”, një iniciativë të nisur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të aftësive komerciale të ndërhyrjes kibernetike. Ky angazhim e vendos Kosovën në një linjë me përpjekjet ndërkombëtare për sigurinë kibernetike.
Gjithashtu, Qeveria ka ndarë një fond prej 75,000 eurosh për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, me qëllim të promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo mbështetje synon fuqizimin e imazhit të vendit dhe rritjen e mundësive për bashkëpunim me diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë. /Kosova.info/
