Osmani: Kosova po përballet me sulme të vazhdueshme nga Serbia

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në konferencën pas takimit me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, tha se në dialog me Serbinë, Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet pavarësisht sepse, sipas saj, vazhdimisht vendi përballet me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë.

Tema e dialogut, tha presidentja ishte një nga pikat e diskutimeve që pati në takimin prej më shumë se një orësh me sekretarin e jashtëm britanik, David Lammy.

“Një temë e rëndësishme e diskutimit tonë ishte edhe dialogu me Serbinë. Kam ripërsëritur edhe njëherë faktin Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët, e po vazhdojnë edhe tani”, tha presidentja e cila ka ripërsëritur kërkesën që autorët të përballen me drejtësinë.

“Është e domosdoshme që duhet të ketë llogaridhënie e vënie të të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, Por fatkeqësisht po e  shohim që nuk ka asnjë lëvizje nga ana e Serbisë as sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023, as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s, por as të veprimeve të fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit”, tha Osmani.

E para e shtetit ka falënderuar mMbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.

“Diskutuam edhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, një aspiratë që Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur që nga fillimet e raporteve tona,  siç ka qenë e fuqishme mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Osmani tha se gjithnjë mirëpresin angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar edhe sa i përket eksportit të armëve në Kosovë. “Ky hap do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e sigurisë sonë, por edhe në avancimin e industrisë së mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, tha Osmani.

Go to TOP