Haxhiu për votat me postë të LDK-së: PZAP e Supremja i mbyllën sytë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme refuzuan t’i kryenin detyrat e tyre. Ajo foli për votat me postë që Lëvizja Vetëvendosje pretendon se janë manipuluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme “i mbyllën sytë përball këtij krimi”, derisa ka kërkuar nga Prokuroria që t’i zgjerojë hetimet ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së.

Haxhiu ka thënë se vullneti i qytetarëve duhet të mbrohet.

“PZAP dhe Gjykata Supreme e kanë pasur për detyrë ruajtjen e vullnetin të qytetarëve, megjithatë, ndonëse ishin të vetëdijshëm për skemën kriminale përmes votave me postë, ata refuzuan qëllimisht të kryenin detyrat e tyre. Ata mbyllën sytë përballë këtij krimi. Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë dhe të zgjerojë hetimet edhe ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së dhe ndaj ekipit të përfshirë në këtë skemë kriminale dhe të sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë krim”, ka shkruar Haxhiu. /Kosova.info/

Go to TOP