Muharremi: LVV ose qeveri stabile dhe kompetente, ose opozitë
Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të zgjedhë mes formimit të një qeverie stabile dhe kompetente ose kalimit në opozitë.
Sipas tij, edhe nëse LVV arrin të sigurojë tre deputetë për të formuar qeverinë, një ekzekutiv i tillë nuk do të ketë jetëgjatësi dhe nuk do të mund të qeverisë efektivisht.
“Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe kompetente. Stabile, që të zgjidhet çështja e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e shpejta. Kompetente, që të ketë kapacitete për të menaxhuar situatat e ndërlikuara në të cilat ndodhet vendi,” tha Muharremi.
Ai e cilësoi diplomacinë e qeverisë Kurti si të dështuar duke theksuar mungesën e njohjeve të reja dhe humbjen e aleatëve. Po ashtu, kritikoi qeverinë për krizën ekonomike dhe mungesën e investimeve në sektorin energjetik, ndërsa përmendi se rritja e çmimit të rrymës do të rëndojë edhe më tej qytetarët.
Muharremi sugjeroi që LVV duhet të angazhohet më shumë në fusha si mbrojtja dhe sundimi i ligjit, ndërsa për menaxhimin e energjisë, ekonomisë dhe diplomacisë i duhen ekspertë nga jashtë.
“Vitet e fundit kemi pasur rritje çmimesh dhe zbritje shprese. Prandaj, kjo qeverisje nuk duhet të vazhdojë kështu dhe duhet të ndryshojë,” përfundoi ai. /Kosova.info/
