Juventus nis epokën Tudor me fitore minimale ndaj Genoa

Igor Tudor ka debutuar me fitore në stolin e Juventusit, duke udhëhequr skuadrën drejt një triumfi 1-0 ndaj Genoa në “Allianz Stadium”.

“Zonja e vjetër” ka pasur një mundësi të hershme për të kaluar në epërsi, por goditja me kokë e Yildiz është ndalur në vijën e portës nga mbrojtësi Stefano Sabelli. Megjithatë, në minutën e njëzet e pestë, talenti ka kaluar Koni De Winter dhe ka lëshuar një goditje, e cila ka përfunduar në rrjetë për të ndezur atmosferën në stadium.

Pavarësisht avantazhit, fitorja nuk ka ardhur pa probleme për Tudor, pasi mbrojtësi Federico Gatti është detyruar të largohet nga loja për shkak të një lëndimi menjëherë pas golit.

Në pjesën e dytë, Genoa ka pasur një mundësi të artë për të barazuar, kur Andrea Pinamonti ka goditur pas një krosimi nga Sabelli, por tentativa e tij ka përfunduar jashtë portës.

Juventus ka vazhduar të kërcënojë, me Pierre Kalulun që ka provuar me kokë, por është ndalur nga një pritje e portierit Nicola Leali.

Në minutat e fundit, Leali ka bëë edhe një ndërhyrje vendimtare ndaj një goditjeje të Manuel Locatellit, duke mbajtur ekipin e tij në lojë.

Në fund, edhe pse nuk kanë arritur ta shënojnë një gol të dytë, “bardhezinjtë” e kanë ruajtur avantazhin, duke siguruar tri pikë. 

Juventus gjendet në pozitën e pestë të renditjes tabelare në Serie A, ndërsa Genoa në vendin e dymbëdhjetë. Tabela kryesohet nga Inter. 


Go to TOP