Muharremi: Kurti po ik nga kriza e rrymës, po flet për zgjedhje lokale – votat mbi hallet e qytetarëve

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj deklarimeve të Kryeministrit Albin Kurti, i cili sot, në vend se të fliste për çështjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, ka zgjedhur të orientojë debatin tek zgjedhjet lokale.

Sipas Muharremit, kjo është një strategji e qëllimshme për të shmangur temën e krizës energjetike dhe për të fokusuar vëmendjen te interesat elektorale të kryeministrit. “Kryeministri sot kish pas dëshirë me na folë për zgjedhjet lokale. Strateg është. Nuk po i pëlqen me folë për tarifat e rrymës. Hajde, ndrojmë temë, po thotë. Jo hallet e qytetarëve, po interesat e veta: votën,” ka shkruar Muharremi.

Ai ka theksuar gjithashtu se Kurti po e ka të vështirë të pranojë realitetin politik pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku LVV ka pësuar rënie nga kulmi prej 50.2% në vitin 2021, në 42.3%. Muharremi parashikon se ky trend rënës mund të vazhdojë, duke arritur deri në 25% në zgjedhjet e ardhshme qendrore, për shkak të krizave dhe pakënaqësive qytetare.

Duke analizuar performancën e LVV-së në zgjedhjet lokale, Muharremi kujton se në vitin 2021, ndonëse partia e Kurtit kishte fituar mbi 438 mijë vota në nivel qendror, në zgjedhjet lokale kishte marrë vetëm 168 mijë vota – një dallim prej mbi 270 mijë votash.

“Ky është një tregues i qartë i fuqisë reale që kanë LDK dhe PDK në terren. Edhe kësaj radhe, LVV nuk do të jetë as afër rezultatit të nivelit qendror,” vlerëson analisti.

Sipas tij, harta elektorale e publikuar sot nga Kurti nuk ka ndonjë peshë reale. “Vlera e vetme e saj është që Albin Kurti u bë i gjallë… por jo për çka duhet. Ai nuk po flet për krizën e rritjes së çmimit të rrymës. Po ky është i njëjti person që, derisa vinte në pushtet, e kallte Kosovën për raste të tilla,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/

Go to TOP