Baraliu: Mbreti është lakuriq, Albin Kurti duhet të pensionohet urgjentisht
Analisti dhe profesori Bleron Baraliu ka bërë një reagim të ashpër ndaj Kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar si një politikan naiv, të pamençur dhe të papërshtatshëm për skenën ndërkombëtare. Në një shkrim të gjatë, Baraliu e kritikon ashpër Kurtin për rënien në grackën e komedianëve rusë duke e konsideruar këtë incident si një turp diplomatik që e ka ekspozuar paaftësinë e tij jo vetëm përpara shqiptarëve, serbëve dhe rusëve, por tashmë edhe përpara gjithë botës.
“Kurti është një amator i jashtëzakonshëm, një politikan me cinizëm të rrallë dhe një sharllatan në rrafshin diplomatik,” shkruan Baraliu duke e akuzuar Kryeministrin për një qasje joprofesionale dhe të paqëndrueshme në qeverisje.
Një nga pikat më të forta të kritikës së tij ka të bëjë me faktin se Kurti gjatë bisedës me personat që ai besonte se ishin zyrtarë të lartë letonezë, përdori një qasje pezhorative ndaj komunitetit LGBTQ+, pa qenë i vetëdijshëm se po fliste me një president të deklaruar si homoseksual.
Baraliu e përshkruan Kurtin si një njeri që ka lexuar shumë por që ka humbur aftësinë për të kuptuar dhe analizuar thellësisht. “Kurti është një milje i gjerë, por një milimetër i thellë,” shkruan ai duke e cilësuar Kryeministrin si të paaftë në filozofi, matematikë apo ndonjë fushë tjetër që kërkon mendim të thellë.
Sipas tij, problemi nuk është më vetëm politik, por një çështje që prek seriozisht imazhin dhe të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Tani secili joanalfabet duhet ta kuptojë se Albin Kurti duhet të pensionohet urgjentisht,” përfundon ai duke e krahasuar situatën me përrallën e mbretit që është lakuriq dhe askush nuk guxon ta thotë të vërtetën. /Kosova.info/
