Dy të vdekur në Vushtrri, dorasi pas viktimës vret dhe veten

Prokuroria në Mitrovicë ka konfirmuar se të hënën është kryer një vrasje e dyfishtë në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.

Prokuroria ka thënë se dyshohet që një burrë fillimisht ka vrarë një grua, dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

“Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, ka thënë Prokuroria në një njoftim për publikun.

Një familjar i të ndjerës, Rrahim Ajeti, ka thënë se viktima ka qenë rreth 40-vjeçare dhe në të kaluarën ka punuar së bashku me bashkëshortin e saj në biznesin – furrë buke – e burrit që dyshohet se e ka vrarë.

“Sipas një informate jo fort zyrtare, [shkaktar] është xhelozia pse ka shkuar në tjetër vend për të punuar dhe e ka lënë këtu. Kjo është”, ka thënë Ajeti.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka theksuar se bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. 

“Në cilësi të provave  materiale  në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë .  Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e  pajetë dërgohen   në  Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë  hetimet për  veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Vetëvrasje'”, thuhet në njoftim.


Go to TOP