TKZ akuzon FSHF-në për përjashtim: Jemi lënë pa bileta, por përkrahja jonë nuk ndalet
Tifozët Kuq e Zi (TKZ) kanë reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke e akuzuar për hakmarrje dhe përjashtim të qëllimshëm nga tribuna e tyre tradicionale. Në një deklaratë publike, TKZ shpreh shqetësimin se, për herë të parë në 21 vite, nuk u janë siguruar bileta të rezervuara për ndeshjet e Kombëtares.
Sipas TKZ-së, FSHF ka ndryshuar politikën e biletave me arsyetimin e “gjithëpërfshirjes”, ndërsa në të njëjtën kohë ka ofruar bileta të garantuara për anëtarët e klubit të saj tifoz, duke ngritur dyshime për një strategji selektive. Ata e shohin këtë vendim si një hakmarrje për qëndrimet e tyre kundër organizimit të një kampionati të përbashkët me Serbinë dhe për kritikat ndaj drejtimit të FSHF-së.
Gjithashtu, TKZ denoncon çmimet e larta të biletave, që sipas tyre tejkalojnë edhe ato të finaleve të EURO 2024, duke e cilësuar këtë si një tjetër formë përjashtimi për tifozët e zakonshëm.
“Stadiumin dhe përkrahjen ndaj Kombëtares nuk mund të na i ndalojë askush, as FSHF-ja. Do të jemi aty, në çdo ndeshje, për të mbështetur skuadrën dhe për të shprehur pakënaqësitë tona,” thuhet në reagimin e tyre.
TKZ paralajmëron intensifikim të reagimeve nëse nuk ndryshon qasja e FSHF-së ndaj tifozërisë organizuar duke theksuar se Kombëtarja nuk mund të ndahet nga ata që e kanë mbështetur në momentet më të vështira. /Kosova.info/
