Donat Syla për ndryshimet në Kanada: Justin Trudeau largohet nga drejtimi i liberalëve, kujtoj bashkëpunimin historik me Kosovën
Gazetari dhe diplomati kosovar, Donat Syla, ka reaguar pas largimit të Justin Trudeau nga posti i kryetarit të Partisë Liberale të Kanadasë duke kujtuar një moment historik të bashkëpunimit mes Kosovës dhe komunitetit hebre në këtë vend.
“Nga sot, kryeministri i dorëhequr i Kanadasë, Justin Trudeau, nuk do të jetë më kryetar i liberalëve kanadez. Ndërsa po ndodhin këto ndryshime politike, kujtoj të kem pasur privilegjin që për herë të parë në historinë e institucioneve të Kosovës të pranoj përgëzime për organizimin e përbashkët me komunitetin hebre të Kanadasë për një event unik në shenjë vlerësimi për shqiptarët që i dolën zot një popullsie të pambrojtur gjatë Luftës II Botërore,” ka shkruar Syla.
Ai ka zbuluar gjithashtu se ky event, i organizuar në Toronto, ka qenë kryelajm në të gjitha mediat kanadeze duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në promovimin e vlerave të shqiptarëve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
Në postimin e tij, Syla ka ndarë edhe letrën e pranuar nga vetë Justin Trudeau duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes Kosovës dhe Kanadasë. /Kosova.info/
