Ferati reagon ndaj deklaratës së historianit Shala: Një shpifje e ulët që tenton të njollosë figurën e Shaban Manajt

Kryetari i Komunës së Istogut dhe Kryetari i Degës së LDK-së, Ilir Ferati, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së historianit Shala, i cili e cilësoi vrasjen e Shaban Manajt si një vrasje për motive morale.

Ferati e ka quajtur këtë pretendim një shpifje të ulët dhe një përpjekje të shëmtuar për të njollosur figurën e një prej njerëzve më të ndritur të LDK-së dhe historisë më të re të Kosovës.

“Shaban Manaj nuk ishte thjesht një aktivist politik – ai ishte një shtyllë e demokracisë në Kosovë, një njeri i guximshëm që sfidoi regjimin serb dhe i qëndroi besnik idealit të lirisë. Vrasja e tij mbetet një plagë e hapur për Istogun dhe për mbarë Kosovën, një krim që kërkon drejtësi, jo shpifje të ulëta”, ka deklaruar Ferati.

Ai ka ftuar organet kompetente që të merren me këto deklarata, duke theksuar se nuk do të lejohet shtrembërimi i historisë dhe baltosja e emrit të Shaban Manajt.

“Shaban Manaj është dhe do të mbetet një emër i madh i rezistencës dhe i demokracisë. Asnjë shpifës nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë!”, ka përfunduar Ferati. /Kosova.info/

Go to TOP