Benzema s`pajtohet me Ronaldon për “më të madhin e të gjitha kohërave”
Sulmuesi i Al Ittihad, Karim Benzema, nuk është pajtuar me deklaratën e Cristiano Ronaldos, i cili së fundmi ka thënë për vete se është “më i madhi i të gjitha kohërave”.
Ronaldo, tashmë pjesë e Al Nassr në Pro Ligën Saudite, ka deklaruar më herët këtë muaj se ai është lojtari më i madh në histori, por Benzema ka thënë se mendon ndryshe.
“Secili thotë çfarë dëshiron. Nëse ai mendon se është më i miri në histori… Për mua, më i madhi është Ronaldo, ai nga Brazili”, është shprehur francezi për TNT Sports.
Megjithatë, Benzema ka shmangur krahasimet mes lojtarëve. “Nuk më pëlqen të bëj krahasime. Çdo lojtar ka historinë e tij dhe ai ka të tijën. Ai është shumë i mirë”, ka thënë ai.
Interesant është fakti se aktualisht Benzema dhe Ronaldo ndajnë kryesimin e listës së golashënuesve në kampionatin saudit, me nga gjashtëmbëdhjetë gola secili.
