Avdyli ironizon opozitën: Nga nesër mund të fillojnë negociatat për nominimin e Rukiqit si zv/kryeministër
Deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ndaj skenarëve për koalicione opozitar, duke ironizuar mundësinë e negociatave për nominimin e Berat Rukiqit si zëvendëskryeministër.
Në një postim, Avdyli tha se pas mesnatës skadon afati i ndalimit për diskutime mbi qeverisjen, duke shtuar se Rukiqi, i cili më parë kishte vizituar Beogradin dhe mbështetur “Ballkanin e Hapur”, mund të jetë një kandidat i opozitës për qeverinë e ardhshme.
Ai kritikoi partitë opozitare duke thënë se në zgjedhjet e ardhshme nuk kanë nevojë të garojnë, pasi sipas tij, portalet dhe oligarkët duhet të krijojnë listat e tyre për deputetë dhe qeverisje.
Avdyli theksoi se kjo është hera e fundit që “sekserët e nëntokës” ndërhyjnë në vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve pa legjitimitet popullor. /Kosova.info/
