Sogojeva Dërmaku: Tani kemi platformë për mbrojtjen e të dhënave personale
Sot është Dita Botërore e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e cila që nga viti 1981 shënohet në vende të ndryshme të Evropës.
Krenare Sogojeva Dërmaku, komisionare për informim dhe privatësi, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se tashmë kanë arritur ta lansojnë platformën, e cila në kohë reale do ta shohë rrjedhën e të dhënave personale, do ta detektojë rrjedhën e të dhënave personale nga të gjithë kontrolluesit publikë e privatë.
“Kjo mundësi na ka dhënë shpresë që ne si Kosovë do të arrijmë ta monitorojmë në mënyrë më të mirë dhe më të shpejtë zbatimin e Ligjit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale”, tha ajo.
Tutje bëri me dije se kjo platformë mundëson që në kohë reale gjatë 24 orëve ta monitorojnë rrjedhën e të dhënave personale në internet të hapur, por edhe në rrjetin e zi.
“Të dhënat e qytetarëve tanë nga të gjithë kontrolluesit në Kosovë ishin shqetësuese. Vetëm brenda muajit janar në gjashtë fusha, nga një kontrollues, dolën se rreth 15 mijë qytetarëve u kanë rrjedhur të dhënat personale. Nga sistemet që i përdorim për shërbimet tona, sistemet online, serverët, platformat nuk janë me masa të sigurisë, qasja në to është shumë e lehtë nga ana e keqpërdoruesve të internetit”, tha ajo.
Ndër të tjera, ajo tregoi se tash e tri vjet këtë ditë e shënojnë me aktivitete me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve, por edhe ndaj kontrolluesve, për t’i mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve.
“Veç vitin e kaluar i kemi bërë mbi 300 fushata ndërgjegjësuese. Përsëri mbetet për t’u dëshiruar se sa qytetarët e mbrojnë privatësinë e vet, e dinë rëndësinë e mbrojtjes, rrezikun që iu kanoset kur ata ofrojnë të dhënat e tyre personale. Çdo hyrje në internet, çdo shërbim që ne kryejmë, përdorimi i platformave sociale, lë gjurmë, i ofrojmë dikujt të dhënat tona dhe dikush ka mundësi t’i përdorë ato për qëllime të caktuara, që kryesisht kanë prapa qëllimet financiare – përfitimet”, shtoi Sogojeva Dërmaku.
Po ashtu, ajo tha se për çdo veprim që bëjmë në internet duhet të kemi kujdes, të dimë se kujt po ia japim të dhënat tona.
