Epoka e artë e Amerikës fillon tani

Presidenti i sapobetuar i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se “do ta vendosë Amerikën në vend të parë”.

Në fjalimin e parë pas betimit, Trump tha se “epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani”.

“Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”.

“Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet”, tha Trump, duke shtuar se “armatosja e egër, e dhunshme dhe e padrejtë” e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, do të marrë fund.

Ai e kritikoi administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për trajtimin e krizës së imigrantëve, duke thënë se ajo u ka siguruar “strehë dhe mbrojtje kriminelëve të rrezikshëm” që “kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë”.

Qeveria ka dhënë “fonde të pakufishme për mbrojtjen e kufijve të huaj”, por ka refuzuar t’i mbrojë kufijtë amerikanë, tha Trump.

Ai shtoi se Amerika, së shpejti, do të jetë “më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme”.

“Rrezet e diellit po shtrihen në të gjithë botën dhe Amerika e ka rastin ta shfrytëzojë këtë mundësi si kurrë më parë”, tha Trump.

Trajtimi i hyrjeve të paligjshme në SHBA, ndër detyrat e para

Teksa vazhdon fjalimin pas betimit, presidenti Donald Trump tha se do të nënshkruajë që sot një urdhër ekzekutiv, përmes të cilit do të shpallë emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë.

Të gjitha hyrjet e paligjshme të imigrantëve “do të ndalohen menjëherë”, tha ai, duke shtuar se Qeveria do të fillojë procesin e kthimit të miliona “të huajve kriminelë” në vendet nga kanë ardhur.

Për inflacionin dhe energjinë…

Trump foli edhe për trajtimin e inflacionit dhe të rritjes së kostos së energjisë – gjë që ishte pikë qendrore e fushatës së tij.

Ai tha se do t’i udhëzojë të gjithë anëtarët e kabinetit që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre “për të mposhtur inflacionin” dhe “për të ulur me shpejtësi kostot dhe çmimet”.

Ai përsëriti premtimin e mëhershëm se administrata e tij do t’i shtojë shpimet për naftë dhe gaz në tokën amerikane.

“Amerika do të jetë komb prodhues sërish”, tha Trump, duke shtuar se vendi i tij “ka më shumë naftë dhe gaz natyror se çdo vend tjetër në tokë”.

Trump foli edhe për planet e tij për industrinë e automobilave, duke thënë se Amerika do të prodhojë sërish automobila “me një ritëm që askush nuk mund ta ketë ëndërruar vetëm disa vite më parë”.

“E ardhmja është e jona”

Trump, i cili vitin e kaluar u mbijetoi dy tentativave për ta vrarë, tha se “Zoti e ka shpëtuar jetën e tij” për ta bërë Amerikën sërish madhështore.

“Unë qëndroj para jush si dëshmi se nuk duhet besuar se diçka është e pamundur për t’u bërë. Në Amerikë, të pamundurën ne e bëjmë më së miri”, tha Trump.

Ai e përfundoi fjalimin duke thënë se Amerika nuk do të frikësohet.

“E ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, tha Trump.


Go to TOP