Konjufca priti delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KE-së
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr. Kryekuvenendari i njoftoi ata me ecurinë aktuale politike në vend, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore.
Sipas njoftimit në faqen e Kuvendit, Konjufca ka vlerësuar se ky proces paraelektoral po zhvillohet konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat evropiane.
“Në takim u diskutua rreth Ligjit të Zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në njoftimin nga legjislativi.
Mysafirëve në këtë takim, kreu i Kuvendit u ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për këtë takim mes kryekuvendarit e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. /Kosova.info/
