Kryeministri i Grënlandës gati për bisedime me Trump

Kryeministri i Grënlandës, Mute Egede, ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, pas deklaratave të tij që kërkojnë kontrollin e SHBA-së mbi ishullin.

Trump ka theksuar se kontrolli i Grënlandës, një territor autonom i Danimarkës, është një “nevojë absolute” për SHBA-në dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve ushtarake apo ekonomike, përfshirë tarifa ndaj Danimarkës.

Në një konferencë për shtyp në Kopenhagen, Egede tha se Grënlanda është e gatshme të angazhohet në bisedime, por shtoi se aspiratat e saj për pavarësi janë të rëndësishme dhe kërkojnë respekt nga të gjitha palët. Ai theksoi se Grënlanda dëshiron të jetë “zot i shtëpisë së vet”, duke kërkuar që ky qëllim të respektohet, t, raporton CNN.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka kërkuar gjithashtu një takim me Trump, por ka theksuar se një bisedë e mundshme me të nuk pritet të ndodhë para inaugurimit të tij më 20 janar.

Grënlanda, e cila ka 57,000 banorë dhe ishte një koloni daneze deri në vitin 1953, ka fituar të drejtën për të kërkuar pavarësinë që nga viti 2009, kur u mundësua që të votohet për statusin e saj politik.

Megjithatë, Egede ka siguruar se kjo nuk do të thotë ndërprerje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Danimarkën, duke theksuar se Grënlanda mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

SHBA-ja mban një bazë ushtarake në pjesën veriore të Grënlandës, një territor me rëndësi strategjike, dhe është një aktor kyç në këtë rajon të Arktikut.

Go to TOP