Alban Rraci nominohet kandidat për deputet nga LDK në Kuvendin e Kosovës
Alban Rraci, me mbështetjen e degës së LDK-së në Klinë dhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka shpallur kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar nevojën për angazhim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike të vendit dhe marrjen e përgjegjësive për të kontribuar në ndërtimin e një Kosove të zhvilluar dhe të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Rraci ka vlerësuar rëndësinë e punës ekipore dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, duke u bazuar në përvojën e tij shumëvjeçare në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Duke theksuar trashëgiminë e babait të tij, Ismet Rraci, ish-kryetar historik i Klinës, ai është zotuar se puna dhe virtytet e tij do të jenë udhërrëfyes në veprimet e tij politike.
Alban Rraci ka premtuar të jetë një zë i fuqishëm në Kuvend për mbështetjen e bizneseve, krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe garantimin e stabilitetit për punëtorët. Ai ka theksuar se vetëm një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht dhe politikisht e qëndrueshme mund të sigurojë mirëqenie për qytetarët dhe ruajtjen e substancës kombëtare.
Rraci shprehu besimin e tij në programin qeverisës të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministrit Lumir Abdixhiku, duke theksuar se motoja e LDK-së, “Megjithatë, ne jemi këtu,” do të jetë udhërrëfyes për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin.
Në fund, ai i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që ta mbështesin në këtë rrugëtim, duke premtuar përkushtim të palëkundur për të përfaqësuar interesat e tyre dhe për t’i shërbyer Kosovës.
“Na priftë e mbara!” – përfundoi Rraci në deklaratën e tij.
