Lucescu: Kosova është një ekip i madh që mund të fitojë kundër çdo skuadre

Trajneri i kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu ka folur para ndeshjes ndaj Kombëtares së Kosovës, ku ka vënë theksin te disa futbollistë, të cilët sipas tij janë më të rëndësishmit.

Trajneri i rumunëve, Lucescu, ka theksuar se Kosova ka disa lojtarë të rëndësishëm në ekip, ku me theks të veçantë ka folur për Edon Zhegrovën, i cili sipas tij është i jashtëzakonshëm.

“Zhegrova është lojtar i jashtëzakonshëm nëse i lejohet të luajë. E mbyllëm mirë në Prishtinë. Në Evropë, në kampionat, ku i lejohet të luajë, është vendimtar. Kanë 3-4 lojtarë të rëndësishëm aty. Rrahmani, Berisha, Muriqi dhe Zhegrova janë më të rëndësishmit”, ka thënë trajneri i Rumanisë në një konferncë për media.

Trajneri i kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu ka thënë se kombëtarja e Kosovës, nuk është një kundërshtar për t’a lënë pas dore.

“Shpresoj të mos bëni shaka me Kosovën. Kosova është një ekip i madh që mund të fitojë kundër çdo skuadre”, ka thënë fillimisht Lucescu në konferencë.

Trajneri i Rumanisë ka kërkuar që tifozët të mos krijojnë probleme në tribuna.

“Nëse e konsiderojmë një finale, sigurisht që është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme. Po takojmë një ekip shumë të mirë, një skuadër që është përgatitur enkas për këtë ndeshje . Falë rezultatit të jashtëzakonshëm në Kosovë, ata vijnë në Bukuresht për të fituar. E kuptojmë se çfarë do të thotë kjo ndeshje, lojtarët janë në gjendje të mirë fizike dhe mendore. Përtej rezultatit, jam i interesuar të përmirësoj lojën. Skuadra ka potencial të rritet. Mbetet të shihet se sa do të na lejojë loja jonë të dominojmë edhe kundërshtarët. Shpresoj se do t’i motivojë nëse gjërat shkojnë ashtu siç duhet dhe mbështetja e publikut do të jetë pozitive. Nuk do të doja që një pjesë e publikut, ai grup mbështetësish që vijnë në stadium të krijojnë probleme. Këtu vetëm një gjë është e rëndësishme, ne e dimë se çfarë nënkuptojnë këto 3 pikë për të ardhmen e futbollit rumun. Nuk kemi nevojë për aspekte të tjera”, ka deklaruar Lucescu.

Kosova luan nesër në udhëtim te Rumania, në ndeshjen që pritet të zhvillohet në “Stadiumin Nacional” me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve, e cila transmetohet në RTK.

Ekipi i Dardanëve ka udhtuar në drejtim të Rumanisë dhe është gati për këtë ndeshje, edhe përkundër disa mungesave të theksuara shkaku i lëndimeve.

Go to TOP