Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, deputeti Shabani: Shufra e gomës është thyer në trupin tim
Isak Shabani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, dëshmoi të hënën në rastin ku Dragisha Milenkoviq akuzohet për krime lufte, duke treguar se gjatë qëndrimit në burgun e Prishtinës ka përjetuar jo vetëm dhunë fizike, por edhe tortura me elektroshok.
Sipas aktakuzës, Milenkoviq akuzohet se, si gardian në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar të burgosurit në mënyrë ç’njerëzore. “Përveç maltretimeve të jashtëzakonshme dhe dhunës fizike, kam përjetuar edhe dhunë me elektroshok. Më kanë mbajtur të zhveshur dhe shufra e gomës është thyer në trupin tim,” deklaroi Shabani. Ai gjithashtu theksoi se ishte i befasuar që ka kaq shumë dëshmitarë të gjallë.
Shabani tregoi se kur u transferua nga Dubrava në Lipjan, dëgjoi një gardian që thoshte: “Mjaft kemi mbyt.” Në burgun e Lipjanit, të burgosurit duhej të kalonin përmes një kordoni të gardianëve që i godisnin me shufra gome.
Sipas dëshmitarit, në qelinë ku qëndronin, kishte rreth 30-40 veta dhe përballeshin me uri të tmerrshme. Ai deklaroi se ka qëndruar në vetmi për 8 muaj, ku për shkak të torturave të rënda kishte menduar për vetëvrasje. Shabani gjithashtu tha se i kujtohet Milenkoviqi si pjesë e kordonit të gardianëve në Lipjan.
Në këtë seancë dëshmoi edhe dëshmitari tjetër, Muja Prekupi, i cili tregoi se trajtimi i të burgosurve ishte i ashpër dhe se shpesh ndodhnin rrahje masive. Ai përshkroi skenën kur mbërritën në Lipjan, ku gardianët i goditnin ndërsa i ofendonin dhe fyenin.
Në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema, Prekupi konfirmoi njohjen e Milenkoviqit, duke shtuar se e ka parë këtë të fundit duke torturuar të burgosur të tjerë.
Aktakuza thotë se Milenkoviqi, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, së bashku me zyrtarë të tjerë, kishte krijuar një kordon në hyrje të burgut të Lipjanit dhe kishte torturuar në mënyrë të sistematike të burgosurit shqiptarë, duke i lënë pa ngrënë për ditë dhe duke i kërcënuar për jetë.
Në lidhje me një akuzë tjetër, thuhet se më 21 qershor 2023, në Graçanicë, në shtëpinë e tij janë gjetur armë dhe mjete të paautorizuara gjatë një kontrolli të policisë. Me këtë, ai akuzohet për “Mbajtje të paautorizuar të armëve,” sipas Kodit Penal të Kosovës.
