Çitaku për raportet me SHBA-në: Eksponentët politikë ta kenë gjuhën shumë më të kalibruar

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk varen vetëm nga përkatësia politike e presidentit amerikan, por edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Ajo bëri thirrje që liderët institucionalë dhe eksponentët politikë të Kosovës të përdorin një gjuhë më të kujdesshme pas zgjedhjeve të fundit në SHBA, ku Donald Trump u zgjodh president i 47-të i Amerikës.

“Politika e jashtme amerikane në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ka qenë konsistente në tri dekadat e fundit. Si administratat republikane, ashtu edhe ato demokrate, kanë mbështetur fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik. Ndryshimet kanë qenë të vogla, kryesisht në nuanca, shpejtësi të implementimit dhe tonin e përdorur. Në dekadën e fundit, administratat demokrate kanë koordinuar më ngushtë me partnerët evropianë. Me kthimin e Trump në presidencë, ne duhet të kujtojmë se njohja e fundit e Kosovës nga Izraeli ndodhi gjatë administratës së tij dhe gjithashtu gjatë kësaj periudhe u ndryshua mandati i FSK-së. Pra, raportet SHBA-Kosovë nuk varen vetëm nga presidenca amerikane, por edhe nga drejtuesit e Kosovës. Në katër vitet e fundit, pavarësisht njohjes së detajuar të Joe Biden mbi çështjen e Kosovës, sjellja e papërgjegjshme e kryeministrit Kurti dhe institucioneve të Kosovës ndikoi në raportet SHBA-Kosovë”, tha Çitaku

Ajo shtoi se Kosova nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së administratës Trump.

“Zgjedhjet në SHBA ndiqen me kuriozitet global për shkak të rëndësisë së tyre politike, ushtarake dhe ekonomike. Është e natyrshme që njerëzit të kenë preferenca, por udhëheqësit kosovarë duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të kalibruar. Me rikthimin e administratës Trump, është e rëndësishme që Kosova të përforcojë praninë e saj diplomatike në Uashington. Ne duhet të fuqizojmë raportet dhe të krijojmë miqësi të reja për të siguruar që Kosova të mos mbetet e harruar. Nëse veprojmë në mënyrë proaktive, Kosova mund të shihet si partner dhe jo si problem nga administrata amerikane. Unë nuk i frikësohem Shtëpisë së Bardhë – për Kosovën gjithmonë kanë ardhur lajme të mira prej aty”, deklaroi ajo.

Çitaku gjithashtu theksoi se raportet SHBA-Kosovë nuk duhet të reduktohen në dialogun Kosovë-Serbi dhe se qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë për të sjellë investitorë amerikanë. Ajo kujtoi se qeveria Kurti hoqi dorë nga një projekt i rëndësishëm për gazsjellësin, i cili do të mund të kishte ndikuar pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

Go to TOP