El Clasico, Barça turpëron Realin

Barcelona ka triumfuar në mënyrë të jashtëzakonshme në përballjen e madhe ndaj Real Madridit të shtunën, duke e mposhtur me rezultatin 0-4 në stadiumin “Santiago Bernabeu”, në kuadër të Javës së njëmbëdhjetë të La Liga.

Pjesa e parë ka qenë e balancuar.

Real Madridi e ka pasur mundësinë t’i përfundonte dyzet e pesë minutat e parë me epërsi, pasi Kylian Mbappe ka shënuar në minutën e tridhjetë, por ndërhyrja e VAR e ka anuluar golin.

Pjesa e dytë ka folur tërësisht në favor të Barcelonës.

Për dy minuta, Robert Lewandowski ka realizuar dy gola. Fillimisht, në minutën e pesëdhjetë e katërt, ka shfrytëzuar një pasim të saktë nga Casado, dhe vetëm dy minuta më vonë, e ka shndërruar në gol një asistim të Balde.

Por Barça nuk është mjaftuar me kaq. Ka shënuar edhe dy gola të tjerë.  

Në minutën e shtatëdhjetë e shtatë, Yamal e ka shënuar golin e tretë pas një pasimi nga Raphinha.

Fitorja e Barcelonës është vulosur me golin e katërt në minutën e tetëdhjetë e pestë nga vetë Raphinha, i cili e ka finalizuar me sukses një asistim të Martinez.

Pas kësaj ndeshje, Barcelona e forcon pozitën e parë në La Liga, duke grumbulluar tridhjetë pikë, gjashtë më shumë se Real Madrid, i cili ndodhet në vendin e dytë.


Go to TOP