Lladrovci: Me dhimbje pranova lajmin se ka ndërruar jetë Kaidanow, mike dhe kontribuuese e lindjes së shtetit të Kosovës
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të Tina Kaidanow, të cilën e përshkroi si mike dhe kontribuuese të rëndësishme në krijimin e shtetit të Kosovës.
Lladrovci e vlerësoi Kaidanow si një diplomate të shquar dhe njohëse të mirë të rrethanave ballkanike. “Ajo ishte një diplomate amerikane me një karrierë të shkëlqyer, e cila luajti një rol kyç në afrimimin e shteteve aleate dhe të BE-së për qëllimin tonë madhor – shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Karriera e saj diplomatike, e cila filloi në Ballkan me poste në Beograd, Shkup dhe Sarajevë, u kurorëzua në Prishtinë gjatë përgatitjeve për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
Ai kujtoi gjithashtu bashkëpunimin e tij me të, duke theksuar se qëndrimi i saj i palëkundur për të ardhmen e Kosovës, nga momenti kur filloi misionin në Prishtinë më 2006 deri në përfundimin e tij më 2009, mbetet një nga momentet më të ndritura të diplomacisë amerikane.
“Kosova është një histori suksesi, dhe për këtë jemi mirënjohës për figura politike si Tina Kaidanow, mikja e çmuar e Republikës së Kosovës. Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm,” përfundoi Lladrovci.
