KPK shpall konkurs për kryeprokurorë të pesë Prokurorive Themelore dhe asaj të Apelit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e tij të 255-të, të martën, shpalli konkurs për pozitat e kryeprokurorëve në pesë Prokuroritë Themelore dhe Prokurorinë e Apelit.

Konkursi është shpallur për kryeprokuror të Prokurorive të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës, si dhe për Prokurorinë e Apelit. Ky konkurs do të jetë i hapur për 15 ditë, duke filluar nga 21 tetori 2024.

Gjatë kësaj mbledhjeje, pritet që të caktohet Paneli Vlerësues për kandidaturat për kryeprokurorët, për të cilat është shpallur konkursi.

Në Rregulloren e re të miratuar në mbledhjen e 253-të të KPK-së, rekomandimi i Zyrës së Bashkimit Evropian për t’u siguruar që kundërkandidatët të kenë qasje në dokumentet e kandidatëve për kryeprokurorë nuk ishte adresuar.

Po ashtu, rekomandimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për të detajuar më shumë parimin e transparencës dhe për të lejuar marrjen e mendimeve nga secili prokuror për çdo kandidat për kryeprokuror nuk ishin përfshirë në këtë rregullore. IKD ka sugjeruar që KPK të krijojë një Panel Vlerësues dhe të caktojë me vendim edhe kryesuesin e këtij paneli, duke theksuar se nuk është e nevojshme që automatikisht Kryesuesi i KPK-së të jetë gjithashtu kryesues i Panelit për Vlerësim.

Go to TOP