Përfaqësuesi i BE-së: Kosova ka pasur progres të ngadaltë lidhur me pengesat në tregun e punës
Organizata joqeveritare Internews Kosova ka promovuar raportin “Diskriminimi Sistematik në Hapësira dhe Punësim.”
Ky raport është hartuar në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore,” i mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Ai përbën produktin e një monitorimi dhe hulumtimi gjashtëmujor, me vizita të drejtpërdrejta në 27 institucione publike, pesë komuna dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Fokus i këtij hulumtimi është qasja e kategorive të margjinalizuara të shoqërisë në hapësira publike dhe respektimi i ligjit nga institucionet në fjalë.
Përfaqësuesi i BE-së, Johannes Madsen, theksoi se shoqëria civile duhet të vazhdojë të kërkojë llogari nga institucionet për të rritur vetëdijesimin e qytetarëve mbi diskriminimin në hapësira dhe punësim.
Madsen vuri në dukje se gjatë vitit të kaluar, Kosova ka arritur një progres të ngadaltë në përballimin e pengesave dhe diskriminimit që përjetojnë individë të caktuar në tregun e punës.
Ai theksoi se adresimi i diskriminimit në punë kërkon një qasje të përkushtuar nga qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe individët e tjerë.
“Ne parashikojmë një shoqëri ku pengesat do të rrënohen, ku punëdhënësit do të përqafojnë diversitetin, dhe ku institucionet do të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar qasje dhe aksesueshmëri për të gjithë.”
