Mbi 50 projektligje rrezikojnë të kthehen në pikën zero, shkak mungesa e kuorumit në kuvend

Mbi 50 projektligje rrezikohen të kthehen në pikën zero me përmbylljen e kësaj legjislature, nëse nuk trajtohen në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Arsyeja kryesore është mungesa e kuorumit dhe dështimi i seancave parlamentare.

Mbikëqyrësit e punës së Kuvendit kanë kritikuar mospjesëmarrjen e deputetëve, duke e cilësuar si “sëmundje” për Kuvendin. Arton Demhasaj, drejtori i organizatës “Çohu”, tha se është e pashpjegueshme si partia në pushtet, që ka shumicën parlamentare, nuk arrin të krijojë kuorumin për të kaluar ligje të rëndësishme për vendin. Sipas tij, kjo është pasojë e para-fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke bërë që deputetët të fokusohen më shumë në aktivitetet partiake sesa në agjendën e Kuvendit.

Ai paralajmëron se, nëse ky trend vazhdon, ligjet që nuk votohen në lexim të dytë deri në përfundim të legjislaturës do të kthehen në pikën zero, duke detyruar qeverinë e ardhshme t’i rifillojë nga fillimi. Demhasaj nënvizoi se deputetët duhet të kryejnë detyrën e tyre për të cilën paguhen, duke marrë pjesë në seanca dhe votuar ligjet.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, e cilësoi mungesën e kuorumit si një “sëmundje” për Kuvendin, duke theksuar se largimi i dy deputetëve nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka vështirësuar kalimin e ligjeve jetike për vendin. Ligje të rëndësishme si ai për banimin social dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor mbeten të bllokuara, ndërsa shumë projektligje për reforma në drejtësi, punësim dhe çështje sociale nuk janë sjellë ende për miratim.

Go to TOP