Plagoset zyrtarja policore nga shkrepja aksidentale e armës, IPK po e heton

Sot në orët e mëngjesit Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur nga hetimet paraprake dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

IPK-ja ka treguar se arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.

Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti. /Kosova.info/

Go to TOP