Hadërgjonaj: Kolonel Ahmet Krasniqi, heroi që ngriti Ushtrinë Çlirimtare dhe udhëhoqi vizionin e lirisë

Në akademinë përkujtimore kushtuar Kolonel Ahmet Krasniqit, Gjeneral Fadil Hadërgjonaj mbajti një fjalim emocionues duke nderuar jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Hadërgjonaj rikujtoi 26 vitet që kanë kaluar që nga dita kur dorë e zezë tradhtie ndërpreu jetën e Krasniqit, duke e vrarë në mënyrë brutale në Tiranë, më 21 shtator 1998.

Ai tha se, Kolonel Ahmet Krasniqi, i cili ishte Ministri i parë i Luftës në Republikën e Kosovës, jo vetëm që udhëhoqi me përkushtim Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FARK, por gjithashtu ishte përgjegjës për formimin e njësive të para operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në nivel brigade, më 21 qershor 1998.

Në fjalën e tij, Hadërgjonaj përshkroi Krasniqin si një strateg ushtarak të nivelit të lartë, i cili zotëronte njohuri të thella mbi taktikat dhe doktrinat e luftës moderne.

“Ai drejtoi me urtësi dhe vizion luftën e Kosovës për liri, duke organizuar forcat dhe përgatitur ato për përballjet e mëdha që do të vinin”, ka thënë Hadërgjonaj.

Hadërgjonaj theksoi se Krasniqi e kuptoi se vetëm një organizim i fortë ushtarak dhe përkushtimi ndaj idealit të lirisë do të mund të shpëtonin popullin shqiptar nga robëria dhe dhuna e pushtuesit serb.

“Vrasja e Krasniqit përbën një nga humbjet më të mëdha për Kosovën duke ndikuar drejtpërdrejt në organizimin dhe drejtimin e luftës për çlirim. Edhe pas 26 vitesh, fajtori për këtë akt të ulët nuk është gjetur dhe drejtësia ende nuk është vendosur, çka e bën dhimbjen edhe më të madhe për familjen dhe popullin shqiptar”, tha ai.

Hadërgjonaj përfundoi fjalimin e tij me një thirrje për nderimin e vazhdueshëm të kontributit të Kolonel Ahmet Krasniqit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, duke i uruar lavdi për veprat e tyre heroike dhe duke bërë thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj të ardhmes së vendit.

“Lavdi Kolonel Krasniqit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptar!”, përfundoi Hadërgjonaj. /Kosova.info/

Go to TOP