Profesor Hashani: Rritja e pagës minimale në 350 euro është vendim elektoral, nuk ndryshon asgjë për qytetarët

Profesori i ekonomisë, Median Hashani, ka kritikuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale në 350 euro, duke e cilësuar si një masë kryesisht elektorale që nuk do të ketë ndikim real në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Gjatë një interviste në Rubikon të Klan Kosova, Hashani theksoi se kjo pagë minimale është dashur të vendoset që në fillim të mandatit qeverisës.

“Nëse e matim pjesën e inflacionit që ka ndodhur nga viti që e ka marrë qeverisjen e deri tani, vlera prej 350 euro është rreth 218 euro në aftësi blerëse,” tha ai. Hashani theksoi se edhe paga minimale e mëparshme prej 170 euro ishte shumë e ulët dhe nuk përmirësonte standardin e jetesës.

Duke krahasuar me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ai shtoi: “Në Slloveni paga minimale është 1,245 euro, në Kroaci rreth 840 euro, në Serbi 540 euro, në Maqedoninë e Veriut 542 euro, në Malin e Zi 533 euro, dhe në Bosnjë e Hercegovinë 390 euro. Kosova mbetet e fundit. Kjo është vetëm një rritje e nivelit të pagës, por nuk e rrit mirëqenien sociale të qytetarëve.”

Hashani po ashtu paralajmëroi se ky vendim do të ketë një ndikim negativ në të hyrat buxhetore të qeverisë, duke humbur rreth 28 milionë euro në vit. Sipas tij, për çdo 100 euro të paguara, pjesa e tatimit prej 8 për qind për 150 mijë qytetarë që prek vendimi, përbën rreth 14 milionë euro më pak për buxhetin shtetëror. Kjo do të thotë më pak të ardhura për qeverinë, që sipas Hashanit, është një humbje e konsiderueshme financiare. /Kosova.info/

Go to TOP