Kryhen ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe, Komuna thirrje MKRS për veprim në objektet e trashëgimisë kulturore

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot në mëngjes Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka kryer ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetarëve.

Nga Komuna kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Kryeqytet.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët. Secili nga ne mund të japë një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen e këtyre pasurive të çmuara që e pasurojnë identitetin tonë dhe historinë tonë të përbashkët.

Ndërtesat e braktisura janë një problem në rritje në Kryeqytet dhe përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë dhe shëndetin publik. Këto ndërtesa, të cilat shpesh janë të lëna pas dore, mund të shkaktojnë probleme të mëdha”, thuhet në reagim.

Komuna ka ftuar qytetarët për kujdes, derisa u ka bërë thirrje që nëse shohin ndonjë ndërtesë të braktisur e që paraqet rrezik, të raportojnë te autoritetet.

“Mbrojtja e Fëmijëve dhe Të Rinjve: Bisedoni me fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e eksplorimit të ndërtesave të braktisura dhe rëndësinë e qëndrimit të sigurt.

Ndihmoni në mbajtjen e qytetit tonë të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë ne! Bashkë mund të bëjmë një ndryshim të madh”, thuhet tutje në njoftim.

Go to TOP