Apeli shqyrton ankesat e mbrojtjes së dy të dënuarave për mashtrim me subvencione

Gjykata e Apelit, të martën ka shqyrtuar ankesat e mbrojtjes në rastin e dy të dënuarave për mashtrim me subvencione Zoja Krasniqi dhe Albulena Rama-Gashi, të cilat Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 mars 2024 i kishte dënuar me nga një vit burgim në gjysmë liri.

Fillimisht, gjykatësja referuese e kolegjit të Apelit, Afërdita Bytyqi, tha se kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ankesë ka parashtruar mbrojtësi i të dënuarës Krasniqi, avokati Jeton Maqedonci si dhe mbrojtësi i të dënuarës Rama-Gashi, avokati Mentoz Neziri, të cilët kanë propozuar që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa, sipas saj Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Propozimin e Prokurorisë së Apelit e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës Diellon Gjonbalaj, i cili kërkoi nga Apeli që të refuzohen ankesat e mbrojtësve dhe të vërtetohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se sipas aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë i akuzuari Valon Bllacaku ishte liruar nga akuza, mirëpo kundër këtij aktgjykimi Prokuroria nuk ka paraqitur ankesë.

Tutje, avokati Maqedonci tha se qëndrojnë në tërësi pranë ankesës së parashtruar dhe sipas tij gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje kur e ka shpallur fajtore të mbrojturën e tij për faktin se e njëjta gjykatë nuk ka arsyetuar secilën pikë e po ashtu nuk ka paraqitur në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara.

Gjithashtu, sipas tij nuk është vlerësuar as saktësia e provave dhe arsyet tjera me rastin e marrjes së aktgjykimit e veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale.

I njëjti po ashtu theksoi se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është kundërthënës, ku sipas tij thuhet se: “…në cilësinë e zyrtares për Kulturë, Rini dhe Sport ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që për qëllim të përftimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për veten e saj ka përfituar subvencione”, e që kjo sipas tij nuk është e vërtetë sepse i gjithë aktgjykimi bazohet se kanë përfituar subvencione kinse familjarët e Zoja Krasniqit.

“Zoja Krasniqi asnjëherë nuk ka aplikuar për subvencione, mirëpo gjatë gjithë arsyetimit të aktgjykimit është kundërthënës sepse e njëjta asnjëherë me asnjë provë nuk ka aplikuar në Komunën e Prishtinës për asnjë subvencion”, tha tutje Maqedonci.

Sipas tij, edhe po t’iu kishte ndihmuar Krasniqi familjareve të saj për përgatitjen e dokumenteve e njejta nuk do të gjindjes fajtore sepse nuk ka pasur vepër penale.

“E në rastin konkret nuk ka pasur as rregullore të veçantë që ato aplikime mos t’i plotësojë një zyrtar i komunës apo t’iu ndihmojë atyre”, ka ai.

Andaj, mbi bazën e këtyre të lartcekurve, i njëjti kërkoi nga Apelit që e mbrojtja e tij të lirohet nga akuza ose rastin ta kthen në rigjykim për vërtetim të gjendjes faktike.

Ndërsa, avokati Neziri përveç se deklaroi se qëndron pranë ankesës së parashtruar ai bëri edhe një plotësim të saj sa i përket pjesës së propozimit apo kërkesës që është dhënë në ankesë.

Sipas tij, meqenëse kanë ndryshuar rrethanat prej kohës kur e ka paraqitur ankesën e deri më sot, i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturës së tij Rama-Gash të merret aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Këtë propozim ai tha se e arsyeton me faktin se në faqen 4 të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ku thuhet se tani e akuzuara Rama prej viti 2011 deri më 15.07.2014 ka kryer të gjitha ato veprimet inkrimunese të cilat i paraqiten, pra si datë e fundit e marrjes së veprimit inkriminues është data 15 korrik 2014.

E vepra për të cilën akuzohet e mbrojtja e tij, sipas tij dënimi parashihet deri në 5 vite burgim, andaj në këtë rast ai tha se ka arritur afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Armend Gashi, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela, por prokuroria në seancën e mbajtur më 12 mars 2024, ka hequr dorë nga ndjekja penale, me arsyetimin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penal që iu vihej në barrë.

Ndryshe, në seancën e 31 majit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Zoja Krasniqi, avokatit Jeton Maqedonci, që të pushohet procedura penale për veprën penale “Konflikt interesi”, pasi që kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, me aktakuzën e ngritur më 30 janar 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Zoja Krasniqi akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, shqyrtoi dosjet e aplikuesve për subvencione, ku kishin marrë pjesë familjarët e saj dhe në projektet që ata ishin angazhuar, kishte pasur interesa të drejtpërdrejta. Për këtë, akuzohej për “Konflikt interesi”.

Aktakuza thotë se Krasniqi kishte përpiluar dosje fiktive dhe kishte ndihmuar familjarët e saj Armend Gashin, Albulena Ramën dhe Valon Bllacakun, duke iu mundësuar që të përfitonin 24 mijë e 900 euro në emër të projekteve nga subvencionet. Thuhet se si anëtare e komisionit për vlerësimin e tenderit tradicional në shah dhe gjatë shpalljes së tenderëve, kishte përfituar materialisht vëllai i saj Armend Gashi, shumën prej 4 mijë euro. Kurse, Albulena Rama-Gashi, Dafina Qela, Arjeta Koraqi, Armend Gashi dhe Valon Bllacaku, akuzohen se kishin përfituar projekte nga subvencionet, duke shfrytëzuar pozitën e familjares së tyre, tani të akuzuarës Zoja Krasniqi.

Go to TOP