13 vjet nga vrasja e Enver Zymberit

13 vjet më parë, gjendja në veri të vendit ishte tensionuar shumë. Një aksion i Policisë së Kosovës kishte filluar për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, në Jarinjë e Bërnjak, ku kishte mbetur i vrarë polici Enver Zymberi, tash Hero i Kosovës. Aksioni ishte urdhëruar dhe mbështetur nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

Të irrituar nga aksioni i Policisë, serbët e veriut kishin bllokuar për muaj të tërë rrugët që çonin në pikat kufitare në veri. Me gjithë vështirësitë që nga ajo kohë, Kosova kishte kthyer pikat kufitare nën menaxhim të shtetit.

Mëngjesin e 13 viteve më parë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, nisi një aksion për t`i futur nën kontrollin e shtetit pikat kufitare në veri të vendit.

Jarinja e Bërnjaku ishin dy pikat kufitare që ishin djegur nga grupe kriminale serbësh, qysh pas shpalljes së pavarësisë së vendit më 2008, në shenjë revolte.

Kur ROSU u nis drejt pikave kufitare në veri, në përpjekje për t?i marrë nën kontroll ato, hasi në pengesë të serbëve, të cilët bllokuan qindra automjete të Policisë dhe të armatosur sulmuan policët kosovarë.

Aksioni që nisi sot 13 vjet më parë, vazhdoi edhe të nesërmen.

Rrugët ishin barrikaduar e Policia kishte kërkuar që ato të largoheshin duke përdorur autoblindat.

Jo gjithçka shkoi sipas planit.

Banorët e kësaj ane u revoltuan. Armë e snajperë u përdorën për ta sulmuar kordonin e Policisë, thanë hetimet e EULEX-it. Mbi 50 pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës u përballën me serbët e armatosur dhe rezistuan nën shkëmbim zjarri. Një plumb goditi në qafë edhe policin elitë, Enver Zymberin, i cili ishte në autoblindë.

Pas të shtënës së parë që e kishte qëlluar Zymberin, të shtëna rafal pasuan në drejtim të makinave të Policisë. Ato kishin ardhur nga tri drejtime të ndryshme që kishin zgjatur rreth 20 minuta.

Zymberi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të sulmit.

Pas vrasjes, më 27 korrik, Enver Zymberi u shpall hero nga presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim, për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës.

3 vjet më pas, policia e EULEX-it kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Zymberit, Radomor Radiçin dhe Millovan Vllaskoviqin, të cilët më pas Gjykata Themelore e Mitrovicë i kishte shpallur të pafajshëm nga akuzat që u viheshin në barrë.

Në vitin 2015 ishin arrestuar shefi i Operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut, Miodrag Llekiq, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtarë i policisë në këtë stacion.


Go to TOP