Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor
Me 10 vota për dhe 1 abstenim, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) e kane rizgjedhur Albert Zogajn për kryesues të këtij institucioni.
Si abstenim u konsiderua vota e anëtares Andrija Miletiq, që nuk mundi të votonte për shkak se mbledhjen e ndoqi online, derisa procesi ishte i mbyllur.
Mandati i Zogajt është trevjeçar.
Në mbledhjen e KGJK-së, e cila është mbajtur të enjten, Zogaj i është drejtuar anëtarëve të KGJjK-së me një fjalim, në të cilin ka folur për të arriturat si dhe vizionin e tij për të ardhmen e këtij institucioni.
Ai ka thënë se faza e dytë e reformës në drejtësi ka përfunduar, ndërsa theksoi se KGjK-ja ka qenë nxitëse për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial.
“Duhet të punojmë në efikasitetin e sistemit gjyqësor në cilësinë e vendimmarrjes së shërbimeve dhe ndërtimin e besimit të publikut. Reforma në drejtësi ka qenë objekti kryesor, kemi implementuar 12 masa nga 13 në agjendën evropiane. KGjK-ja ka qenë nxitëse me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial për bashkëpunim, shpresojmë të hapet rruga për reformë duke përmbushur një pjesë në kuptimin nacional. Kemi dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe jemi në fazën e hartimit të drafkodit të procedurës penale”, tha Zogaj.
Ajo çka mbetet sfiduese, sipas Zogajt, është siguria nëpër gjykata, dhe se investimet nuk janë në nivelin e duhur.
“Të rritet transparenca duhet të pasqyrojmë më shumë punë japim idenë që brenda pak kohe të themelohet dhe publikohet çdo javë gjyqësori në javë apo dy javë. Të punojmë me akademinë e gjyqësorit, të promovohet vlera e raportimit në KGJK. Do të duhet me punu në qasjen në drejtësi, do të promovojmë fushata informuese, ta paguajmë posten 600 e 1 milionë euro në vit, kjo kosto pritet të ulët”, ka thënë Zogaj.
Tutje, ai kërkoi bashkëpunim më të gjitha institucionet.
